Në shenjë respekti dhe homazhi për gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës në Gjykatën e Apelit Tiranë, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka vendosur pezullimin e seancave gjyqësore për datat 7 dhe 8 tetor 2025.
Vendimi u mor në mbledhjen e gjyqtarëve të mbajtur më 7 tetor dhe synon të shërbejë si një akt solidariteti dhe nderimi për kolegun e ndjerë.
Pezullimi përfshin të gjitha seancat e planifikuara në Seksionin Civil dhe Penal, me përjashtim të çështjeve me karakter urgjent, si masat e sigurimit personal dhe ato civile të domosdoshme, të cilat do të zhvillohen sipas planifikimit ekzistues.
Ky është një ndër një sërë reagimesh institucionale në sistemin gjyqësor pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, që ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur debat për sigurinë në ambientet gjyqësore.
