Në planin ekonomik dhe turistik, Netanyahu deklaroi se numri i turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë është rritur me rreth 800 për qind, ndërsa pritet një rritje e mëtejshme.

Ai shtoi se kompani izraelite shohin në Shqipëri mundësi për investime dhe bashkëpunim ekonomik. Sipas Netanyahut, këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila sipas tij do të inaugurohet nesër edhe me praninë e kryeministrit Rama. Në përmbyllje, kryeministri izraelit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie mes dy popujve.

“Ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Izraelit dhe numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta 1000 dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Dhe mund t’ju them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm, kështu që shkoni atje, kjo ishte e para.

E dyta kemi kompani investuese izraelite, të cilat, dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët. Kjo do të çohet edhe më tej me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, mendoj nesër me praninë e Kryeministrit Rama dhe kjo është diçka që mendoj se do të çojë përpara lidhjet ekonomike.

E së fundi do doja të thoja që ne po kështu kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore, njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi midis dy popujve tanë, e dua të them edhe një bazë vëllazërimi midis të dyve prej nesh. Pra, mirëserdhët këtu! Faleminderit shumë, kryeministër!”, u shpreh kryeministri i Izraelit.