Vendimi i Edi Ramës për të vendosur një kufizim në listat e mbyllura – që të mos përfshiheshin deputetë me më shumë se një mandat – i hapi rrugë përfshirjes së emrave të rinj në parlamentin e ardhshëm. Nga këto lista, 30 kandidatë u përzgjodhën drejtpërdrejt, ndërsa 23 të tjerë siguruan vendin e tyre përmes garës së hapur.
Megjithatë, jo të gjithë janë fytyra të reja në politikë. Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur më parë role në administratë apo poste drejtuese, si ministra, zëvendësministra, kryetarë bashkish apo drejtues të institucioneve të ndryshme në nivel vendor dhe qendror.
Nga kabineti aktual i Ramës, 9 ministra dhe zëvendësministra do të jenë pjesë e parlamentit të ri – përfshirë emra si Petrit Malaj, Pirro Vëngu, Ervin Hoxha, Blendi Gonxhja dhe të tjerë – shumica pa eksperiencë të mëparshme elektorale.
Edhe pushteti vendor ka shërbyer si një burim rekrutimi. Tre kryetarë bashkish – Ervin Demo, Tërmet Peci dhe Agron Malaj – do t’i bashkohen parlamentit, së bashku me disa nënkryetarë dhe kryetaren e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko, e cila u përfshi në një vend të sigurt në listën e Korçës.
Përfaqësimi është zgjeruar edhe me drejtues institucionesh shëndetësore, përfshirë drejtorët e spitaleve rajonale të Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit.
Platforma “Deputeti që duam” solli në skenë figura të reja që fituan mbështetje popullore, si Sara Mila në Elbasan, Zegjinë Caushi në Fier dhe Marjana Koçeku, e cila kryesoi listën në Shkodër.
Në parlamentin e ri do të hyjnë edhe katër figura nga sektori privat: Vasil Llajo, Bujar Rexha, Admir Kadeli dhe Skënder Pashaj. Gjithashtu, përfaqësimi përfshin profesionistë të fushave të ndryshme: mjekë, pedagogë, inxhinierë, agronomë e madje edhe shkrimtarë.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo përzierje profesionistësh dhe prurjesh të reja do të sjellë ide të freskëta, përfaqësim më të ndershëm dhe vendimmarrje më cilësore në Kuvend.
