Për disa muaj me radhë inflacioni dukej se ishte stabilizuar, por qershori solli një sinjal tjetër. Rritja e çmimeve u përshpejtua në 3.2%, duke kaluar objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Kjo është norma më e lartë e regjistruar në muajt e fundit, duke treguar se presionet mbi koston e jetesës nuk janë zhdukur.
Por çfarë do të thotë konkretisht një inflacion 3.2%? Nëse një familje shpenzonte mesatarisht 50 mijë lekë në muaj për mallra dhe shërbime një vit më parë, për të njëjtën shportë sot i duhen rreth 1 mijë e 600 lekë më shumë. Kjo nuk do të thotë se çdo produkt është shtrenjtuar me 3.2%, por se, mesatarisht, niveli i përgjithshëm i çmimeve në ekonomi është rritur me këtë normë, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Shtrenjtimi i produkteve të përditshme që konsumojnë familjet shqiptare ka qenë faktori kryesor që shtyu inflacionin në rritje, të cilat ndikuan me 1.02% në totalin e treguesit. Pas tyre vijnë qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet, të cilat kontribuan me 0.96 pikë përqindje, duke treguar se kostot e banimit vazhdojnë të rëndojnë buxhetet familjare. Ndikim kanë dhënë gjithashtu transporti, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, pijet alkoolike dhe duhani, si edhe argëtimi, sporti dhe kultura, ndërsa i vetmi grup që ka shënuar ulje çmimesh është ai i veshjeve dhe këpucëve.
Rritja e inflacionit mbi objektiv vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë vijon të paralajmërojë se ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj zhvillimeve jashtë vendit. Vetë institucioni qendror ka theksuar se pasiguritë në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike mund të sjellin presione të reja mbi çmimet, ndaj ecuria e inflacionit do të mbetet një nga treguesit kryesorë që do të udhëheqë vendimmarrjen e bankës qendrore./ Top Channel
