Ish-reparti ushtarak në Bërdicë të Shkodrës, që dikur përdorej si një varrezë makinash, është shndërruar në një park për fëmijë por edhe një hapësirë të gjelbër për të gjithë qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e transformimit në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë projekt si një rikthim të jetës në një zonë të harruar prej dekadash. Parku ka marrë emrin “Dua të luaj”, dhe sipas Ramës, tashmë është një vend për fëmijët e familjet me mundësira argëtimi e rekreacioni për të gjitha moshat

 “Aty ku për 30 vite ishte një parkim i madh ndotjeje makinash të mbetura si ‘prova’ nga proceset gjyqësore, sot Shkodra po fiton një hapësirë të re jete, me parkun ‘Dua të luaj’, një vend për fëmijët e familjet me mundësira argëtimi e rekreacioni për të gjitha moshat. Kjo risi e bukur për Shkodrën vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, ka shkruar kryeministri Rama.