Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për një fraksion të dosjes “Revanshi”, duke dënuar me mbi 31 vite burg pesë anëtarë të grupit kriminal, mes të cilëve edhe dy të afërm të ish deputetit të PS, Eduard Ndreca.
Të pandehurit përfituan nga dënimi me gjykim të shkurtuar, çka solli uljen e masës së dënimit me një të tretën për secilin prej tyre.
Adrian Pikli, ish efektiv i forcave speciale RENEA dhe Devis Bajramaj u dënuan fillimisht me nga 10 vite burgim, dënim i cili u reduktua në 6.8 vite burg për secalin për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Armando Ndreca, vëllai i ish deputetit të PS-së Eduard Ndreca, u dënua me 11 vite burg, i cili cili përfundimisht u reduktua në 7.4 vite burg. Ndërsa kushëriri i tij, Elvis Ndreca si dhe Edison Muçeku u dënuan me nga 8 vite burg, dënim që u ul në 5.4 vite burg për secilin.
Anëtarët e këtij grupi kriminal u shpallën fajtorë për një sërë veprash të rënda penale, duke nisur që nga sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, kultivimi i bimëve narkotike, si dhe armëmbajtja pa leje.
Dosja e SPAK dhe akuzat specifike për secilin episod:
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të grumbulluara nga Prokuroria e Posaçme, u dokumentuan veprimtaritë kriminale të shtrirë përgjatë viteve 2020–2021:
Atentati në Tapizë: Më datë 4 nëntor 2020, te Ura e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja në bashkëpunim me persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
Planifikimi i vrasjeve: Përgjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku siguruan mjetet e nevojshme me qëllim vrasjen e shtetasit Hamza Terziu. Ndërkaq, gjatë muajve korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca siguroi mjetet për eliminimin e shtetasit Durim Bami.
Trafiku i drogës: Në tetor të vitit 2020, Armando Ndreca organizoi dhe financoi një grup kriminal që arriti të prodhonte dhe të shiste një sasi prej 243 kilogramësh kanabis sativë në rajonin e Lezhës.
Trafiku i armëve: Gjatë viteve 2020–2021, Deivis Bajramaj dhe ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli, u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve luftarake, duke ua shitur ato edhe personave me precedentë të theksuar penalë.
