Pas tre javësh hetime intensive, policia e Durrësit ka goditur një rrjet prostitucioni që vepronte në qytet. Si rezultat i operacionit u arrestuan dy shtetase të huaja, njëra nga Venezuela dhe tjetra nga Kolumbia.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe tre persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme, nën akuzën për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i jashtëligjshëm, gjashtë celularë dhe dokumente identifikimi të personave të përfshirë.

Policia njofton se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Hetime intensive në vijim dhe kontrolle në ambiente të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit.

Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “STORM 7”.

Zbulohet në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetaset e huaja që e kishin marrë me qira apartamentin, për këtë qëllim.

Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për një periudhë trejavore, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “STORM 7”.

Si rezultat i hetimeve:
-u zbulua në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset N. T., 34 vjeçe, banuese në Venezuelë dhe A. A., 24 vjeçe, banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, të cilat dyshohet se e kishin marrë me qira apartamentin, për ushtrim prostitucioni.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit M. A., A. A. dhe D. T.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 6 celularë dhe dokumente identifikimi të shtetaseve të arrestuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.