Agron Shehaj ishte i ftuar në “Shqipëria Live” ku ka folur për fushatën elektorale, por dhe financimin e aktivitetit të “Partisë Mundësia”.
Shehaj ka komentuar videot që ka publikuar, ku shfaqet në roli ne shitësit apo shoferit, disi të ngjashme me një pjesë të fushatës së Donald Trump në SHBA. Ai tha se kjo është mënyra që ka zgjedhur për të komunikuar me qytetarët, ndërsa sa për Trump, ai tha se diferenca mes tyre është se presidenti amerikan ka lindur në familje të pasur, ndërsa Shehaj e ka nisur nga hiçi.
“Unë kam punuar për shumë vite kamerier, kam punuar edhe shitës, kam punuar edhe shumë profesione të tjera, sepse nuk kam lindur milioner. Unë e kam filluar me punë, ia kam dalë nga hiçi. Unë nuk shkoj për të premtuar qiqra në hell, por sepse zgjedh të qëndroj në krah të atyre që kërkojnë t’ia dalin me punë të ndershme. Edhe unë kam qenë dikur ashtu. E kam nisur me biznes të vogël.
Edhe Trump e ka bërë diçka të ngjashme, por unë nuk mund të krahasohem me Trump. Ka një diferencë sepse Trump ka patur prindërit shumë të pasur, ndërsa unë e kam nisur nga zero. Por kjo nuk ka rëndësi. Por kjo është një mënyrë për të folur me qytetarët. Synimi im ky është dhe dua të flas me qytetarët që bëjnë punë të ndershme.
Nuk më dëmton të qënurit i pasur. Nuk ka asnjë problem të votosh një njeri të pasur. Të qënurit i pasur mua më jep lirinë. Nuk varem nga askush, nuk i shtrij dorën askujt për fondet që duhen për fushatën elektorale. Unë nuk blihem dhe “Partia Mundësia” nuk blihet. Fushatën e financoj unë, por çdo anëtar dhe mbështetës ka koston e tij. Ka dhe shumë mbështetës që japin diçka.”- tha Shehaj.




