Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, ndaj 9 të pandehurve, të cilët janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej gati tre vitesh.

Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë mbyllur hetimet për Ervis Martinajn, një prej personave më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, si dhe për Denis Bajrin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrën, Eljon Haton dhe Arsad Bashlin. Hetimet janë mbyllur gjithashtu edhe për Nuredin Dumanin, i cili po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”. Dumani ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ndaj të gjithë grupit, SPAK ka ngritur akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Çështja tashmë ka kaluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritet hedhja e shortit për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin ose jo të çështjes në gjykim. Nga 9 personat e dërguar për gjykim, vetëm dy prej tyre janë të arrestuar: Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, dhe Denis Bajri, i njohur gjithashtu me mbiemrin Brajovic.