Përfshirja e të miturve në vepra penale është një shqetësim që sa vjen e rritet në Shqipëri. Vetëm për vitin 2024, në të gjithë vendit, 4.5% e të gjithë autorëve të veprave penale, i përkasin moshës nën 18 vjeç.
Trendi vijon shqetësues edhe për vitin 2025. Të dhënat e Policisë së Shtetit për 6 mujorin e parë të vitit flasin për më shumë se 1100 të mitur që të paktën një herë u përfshinë në krim, 390 prej të cilëve poshtë moshës 14 vjeç. Individualisht, të miturit përfshihen në vjedhje, sherre mes moshatarësh dhe plagosje. Këtë vit sërish nuk munguan edhe vrasjes.
Një pjesë e madhe e të miturve shtyhen edhe nga të tjerë për t’u bërë pjesë e veprave penale, në favor të të rriturve. Vetëm gjatë muajve të fundit, janë goditur disa raste të moshave madhore që shtyjnë fëmijë, sidomos në vjedhje, por edhe në vepra më të rënda penale.
Në fillim të dhjetorit, agjentë të Komisariatit nr. 4 në Tiranë arrestuan një 21-vjeçar për vjedhjen e një marketi, vepër penale të cilën e bënte shpesh. Por përveç vetes, i riu, për të vjedhur në markete dhe biznese të tjera, shtynte edhe një të mitur 13 vjeç, me të cilin u dokumentuan të paktën 2 raste, një në market dhe tjetri në një lokal. Më flagrant ishte një tjetër rast në po të njëjtën zonë. Një 39-vjeçar, konsumues narkotikësh, shtynte të vidhnin sende të ndryshme 3 të mitur, me paratë e të cilave më pas blinte drogë për konsum.
Një prej sendeve më atraktive për t’u vjedhur në vitet e fundit janë monopatinat. Të vogla për t’u mbajtur dhe me vlerë të konsiderueshme për t’i shitur më pas. Një rast i ngjashëm ishte në tetor, por në Tiranë, i zhvilluar nga Komisariati nr. 1. Një i ri 23 vjeç nxiste një tjetër të mitur vetëm 13 vjeç të vidhte gjithandej monopatina. Fëmija ishte kthyer në një tmerr të vërtetë për zonën, dhe gjatë operacionit u gjetën 4 monopatina.
Më 8 shtator të këtij viti, në një atentat të paprecedentë ndaj Erogen Brajoviç, në një lokal në Shkodër u vranë 2 persona dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur, konflikt i dhunshëm që dyshohet me dy fiseve Bajri dhe Lici. Autori u arrestua shpejt, ndërsa një ditë më vonë, nga kontrollet policia gjeti një arsenal armësh, duke shpallur në kërkim Barush Bregun, një personazh të njohur të botës së krimit dhe një 17-vjeçar. I mituri dyshohet bashkëpunëtor në ngjarje, ndërsa sot e kësaj dite asnjëri nuk është arrestuar.




