Spitali Rajonal Korçë ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së raportuar së fundmi, ku një kirurg akuzohet për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, spitali bën me dije se është vënë menjëherë në dijeni të rastit dhe ka bashkëpunuar pa vonesa me organet ligjzbatuese për ndjekjen e procedurave të nevojshme.
Institucioni e cilëson çështjen si tepër sensitive dhe thekson se çdo pretendim apo sjellje që cenon dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve është e papranueshme dhe duhet trajtuar me përgjegjësi të plotë ligjore dhe institucionale.
Sipas njoftimit, janë nisur menjëherë verifikimet administrative të brendshme, ndërsa deri në një vendim nga organet kompetente është vendosur pezullimi i mjekut nga funksionet e tij.
“Për të garantuar integritetin e procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të mëtejshme mbi rastin”, thuhet në reagimin zyrtar të spitalit.
Më tej, Spitali Rajonal i Korçës thekson se mbrojtja e pacientëve, etika profesionale dhe standardet e kujdesit shëndetësor mbeten prioritete të panegociueshme për institucionin.
REAGIMI:
Në lidhje me ngjarjen e raportuar pranë Spitalit Rajonal Korçë, bëjmë me dije se institucioni është vënë menjëherë në dijeni të rastit dhe ka bashkëpunuar pa asnjë vonesë me organet ligjzbatuese për ndjekjen e të gjitha procedurave të nevojshme.
Duke e konsideruar këtë një çështje tejet sensitive dhe serioze, Spitali Rajonal Korçë shpreh qëndrimin e prerë se çdo pretendim apo sjellje që cenon dinjitetin, integritetin dhe sigurinë e pacientëve është e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore.
Institucioni ka nisur menjëherë verifikimet administrative të brendshme, ndërkohë që do të ndiqet me korrektësi çdo procedurë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rezultatet e hetimeve të organeve kompetente.
Per kete shkak deri ne nje vendim nga organet kopetente ka bere pezullimin e mjekut nga funksionet e tij. Në respekt të procesit hetimor dhe për të garantuar integritetin e tij, Spitali Rajonal Korçë nuk mund të japë në këtë fazë detaje të mëtejshme mbi rastin.
Mbrojtja e pacientit, etika profesionale dhe standardet e ofrimit të kujdesit shëndetësor mbeten prioritete të panegociueshme për institucioin tone.
