Situata e krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë pezullimin e aktivitetit gjyqësor edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Për shkak të situatës së krijuar ditët e fundit lidhur me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë, Gjykata e Vlorës ka marrë vendimin për të pezulluar zhvillimin e seancave gjyqësore deri në një vendim të dytë.
Referuar informacioneve nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, aktualisht nuk ka një afat të përcaktuar se deri kur do të vijojë bllokimi i seancave gjyqësore. Për pasojë, aktiviteti gjyqësor mbetet i pezulluar, ndërsa nuk dihet ende se kur do të rikthehet zhvillimi normal i seancave.
Ndërkohë, edhe shërbimi për qytetarët do të jetë i kufizuar. Sipas vendimit të marrë nga gjykata, ky shërbim do të ofrohet vetëm për 15 minuta në ditë, deri në marrjen e një vendimi të dytë.
Gjatë ditës së sotme, në Gjykatën e Vlorës nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, duke konfirmuar kështu pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë gjyqësore.
Vendimi vjen në një kohë kur në sistemin e drejtësisë është krijuar një situatë e pazakontë për shkak të problematikave të lidhura me pagat dhe trajtimin financiar të administratës gjyqësore. Situata ka sjellë reagime dhe vendimmarrje të ndryshme në institucionet e drejtësisë, ndërsa mbetet ende e paqartë se sa do të zgjasë pezullimi i aktivitetit.
Ndërkohë, rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë kanë bojkotuar sot punën për rreth dy orë.
Punonjësit kërkojnë që t’u kalojë paga e muajit, e cila duhej të ishte marrë më datë 3 shtator.
Sipas tyre, vonesa e pagave lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, ndërsa kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës.
Bojkoti i sotëm zgjati vetëm dy orë, por punonjësit paralajmërojnë se protesta do të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.
Administrata kërkon zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave që u takojnë, duke shprehur shqetësimin për vonesat në pagesat mujore.
