Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të dielën, më 28 shtator 2025, pranë qytetit Anderlecht në Belgjikë. Një trup i pajetë u gjet i varur në pjesën e pasme të një tabele rrugore, përgjatë një autostrade. Fillimisht, kalimtarët menduan se ishte ndonjë dekorim për festën e Halloween-it, por shumë shpejt u kuptua se bëhej fjalë për një vrasje makabre.

Viktima është identifikuar si Bekim Halilaj, 29 vjeç, me origjinë nga Kukësi. Trupi i tij ishte i lidhur me një litar ose kabllo, dhe mënyra brutale e ekzekutimit ka ngritur dyshime të forta për përfshirje të grupeve të krimit të organizuar.

Sipas burimeve pranë hetimit, kjo ngjarje “ngjan me metodat e përdorura nga kartelet meksikane të drogës”, një mënyrë ekzekutimi që nuk është parë më parë në Bruksel apo rrethinat e tij. Prokuroria belge ka nisur menjëherë hetimet për vrasje me paramendim.

Mediat vendase dhe britanike kanë zbuluar se një person me të njëjtin emër, Bekim Halilaj, ishte dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar për trafik të lëndëve narkotike. Në vitin 2017, ai ishte arrestuar nga Policia e Hampshire si pjesë e një bande shqiptare që shpërndante kokainë me vlerë mbi 4 milionë paund në qytetin Southampton. Halilaj ishte kapur me drogë dhe para të gatshme në një apartament që shërbente si laborator për përgatitjen e lëndëve narkotike dhe ishte dënuar me 7 vite burg.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse viktima në Belgjikë është i njëjti person, por autoritetet po hetojnë lidhjet e mundshme mes të kaluarës kriminale të Halilajt dhe kësaj ngjarjeje të rëndë. Nuk përjashtohet mundësia që ekzekutimi të jetë pjesë e ndonjë llogarie të hapur mes grupeve kriminale ndërkombëtare.

Hetimet janë në vijim dhe pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë detaje.