Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e Astirit, ku një 20-vjeçare e mbyllur në një banesë alarmoi forcat speciale.

Sipas burimeve tre të rinjtë e dyshuar janë nga qyteti i Vlorës dhe kanë precedentë penalë. Hetimet tregojnë se ata dyshohet se kanë sjellë kokainën që është përdorur gjatë një feste një natë para incidentit. Gjurmët e tyre janë zbuluar në armët e sekuestruara, dy pistoleta me silenciator.

Gjatë mbrëmjes, është kryer ekspertiza mjeko-ligjore ndaj 20-vjeçares, ku deri më tani nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e saj. Vajza ka pasur një lidhje me njërin nga të dyshuarit, lidhje e cila nuk ishte aprovuar nga babai i saj. Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, ajo është parë duke hyrë në banesën me qira, ku të dyshuarit qëndronin zakonisht.

Policia dyshon se vajza, e cila ndodhej nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, është mbyllur në banesë nga “miqtë” e saj. Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ndaj të dyshuarve të ngrihet edhe akuza për heqje të paligjshme të lirisë.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të kapur personat në kërkim. Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik, ndërsa autoritetet kanë premtuar që do të zbardhin të plotë këtë rast.