Tragjedi në Shkodër, zjarri në një banesë i merr jetën një të reje dhe dy fëmijëve të saj

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e së mërkurës në fshatin Domen, në Shkodër, ku një banesë është përfshirë nga flakët.

Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur. Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë në vendngjarje, por fatkeqësisht nuk kanë mundur t’i shpëtojnë viktimat.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, ndërsa pritet që ekspertiza të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.

Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.