Në një mesazh ekskluziv për gazetaren e “Shqipëria Live”, Luçiana Hulej, ka folur djali i Nikolla Radaçit, autori i tragjedisë në Durrës.

Ai ka kërkuar falje publike në lidhje me krimin e rëndë të të atit, teksa shprehet se familja e mësoi ngjarjen nga mediat. Më tej, ai shton se e kupton irritimin e qytetarëve, por thekson se ishte një gabim individual dhe i ati do të marrë dënimin e merituar. Sa i përket lajmit se familjarët janë larguar nga banesa, ai e konfirmuar duke thënë se u rrezikohej jeta.

“Në radhë të parë, duam t’u japim ngushëllime familjeve të viktimave! Në emrin tim dhe të familjes sime, dua të kërkoj falje publike për tragjedinë e rëndë që ka ndodhur. Aksidenti i shkaktuar nga babai ynë ka marrë jetën e dy fëmijëve të pafajshëm dhe nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që kjo ngjarje ka shkaktuar te familjet e tyre dhe te të gjithë ne si shoqëri. Ngjarjen e morëm vesh nga media. U shokuam, sepse bëhej fjalë për jetë njerëzish dhe, mbi të gjitha, për fëmijë të mitur.

I kemi ndjekur detajet dhe prononcimet në media. Ato janë diçka për të cilat çdo njeri ka mendim të ndryshëm. I kuptojmë njerëzit që janë kaq të irrituar, por kjo po ndikon shumë keq edhe te ne si fëmijë, sepse ishte një gabim individual dhe mediat, duke folur më shumë, po na godasin edhe ne si fëmijë.
Ne nuk po mbrojmë aktin, babai ynë do të marrë dënimin e merituar për këtë gabim që ka bërë. Ju lutem na kuptoni, jemi të shkatërruar. Me babin nuk kemi pasur kontakt tani që është arrestuar.
Po, është e vërtetë që jemi larguar nga shtëpia për arsye sigurie, sepse është një rast i rëndë dhe nuk ishte e sigurt jeta jonë që pas asaj tragjedie që ndodhi, ne të rrinim aty, pasi i kemi shumë afër njerëzit e viktimave.“- shkruan ai.