Një ngjyrë e errët e ujit është konstatuar në një segment të vijës bregdetare pranë Hidrovorit Hamallaj në Durrës, duke ngritur shqetësim te banorët dhe pushuesit.
Lidhur me këtë rast, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sqaron se Hidrovori, rreth 1 kilometër nga bregu, ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit, si dhe nuk është konstatuar prani e ujërave të zezë në zonën e evidentuar. Sipas verifikimeve në terren nga Ujësjellës-Kanalizimet, ngjyrosja e ujit është shkaktuar nga balta, llumrat dhe sedimentet e akumuluara në kanal, të cilat janë trazuar nga baticat, zbaticat dhe dallgët e mëdha.
Ndërkohë, ujërat e ndotura të rezidencave të zonës, sipas këtij institucioni, përcillen për trajtim në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, për të cilin thuhet se funksionon 24 orë në 24. Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës bën me dije se po vijon monitorimin e situatës për marrjen e masave të nevojshme për menaxhimin e saj.
Njoftimi për media i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës:
Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare. Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit. Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit. SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar. Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det. Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.
