Qarkullimi në aksin Elbasan–Librazhd–Prrenjas po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të ngricave që janë formuar në disa segmente të rrugës, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe lëvizje të ngadaltë të mjeteve. Temperaturat e ulëta kanë krijuar kushte të rrezikshme për rrëshqitje, veçanërisht në zonat malore dhe në kthesat problematike të këtij aksesi.
Mjetet e tonazhit të rëndë kanë pasur vështirësi të kalojnë në disa raste, duke shtuar edhe më shumë ngërçin e trafikut. Autoritetet i bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të lëvizin me shpejtësi të ulur dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, për të parandaluar ndonjë aksident.
Po ashtu, rekomandohet ndjekja e udhëzimeve nga Policia Rrugore, e cila është e pranishme në terren për të menaxhuar situatën dhe për të siguruar kalimin sa më të sigurt të automjeteve. Të gjithë udhëtarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi situata mund të përkeqësohet më tej me kalimin e orëve.
