Një operacion policor i koduar “Porcione”, i zhvilluar sot më 7 nëntor në qytetin e Beratit, përfundoi me arrestimin e një 21-vjeçari të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Mësohet se i riu furnizoheje me kanabis sativa dhe e përziente në doza brenda banesës së tij për t’i shitur më tej.

Sakaq është nën hetim edhe i riu që mundësonte shpërndarjen e drogës me autmojet.

Njoftimi i policisë:

Berat/Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Porcione”. Siguronte lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe e ndante në doza, në banesën e tij, me qëllim shitjen, arrestohet 21-vjeçari. Vihet në hetim 20-vjeçari që shpërndante dozat, me automjet.

Si rezultat i hetimeve të ndjekura për disa muaj, në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Porcione”.

Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi A. K., 21 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., 20 vjeç, të dy banues në Berat, pasi nga hetimet rezultoi se i arrestuari siguronte sasi Cannabisi, të cilën e ndante në doza, në banesën e tij në lagjen “30-Vjetori”, dhe më pas ia jepte 20-vjeçarit, për ta shpërndarë me automjet. Lënda narkotike e gjetur në banesën e shtetasit A. K. dhe në automjetin që drejtonte shtetasi K. K., si dhe celularët e këtyre shtetasve, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.