Pasi denoncoi publikisht një ditë më parë rastin e shkatërrimit të një tjetër monumenti kulture në qytetin e Korçës, “Shtëpia e Flamurit”, kreu i kësaj bashkie, Niko Peleshi përmes një konference për shtyp, ka shprehur sot gatishmërinë e bashkisë së qytetit për ta rindërtuar këtë shtëpi muze përmes financimit të bashkisë.


“Sot kam dalë për të ndarë me publikun dhe për të sensibilizuar publikisht Ministrinë e Monumenteve të Kulturës, të cilëve sot në mëngjes u kam nisur një shkresë zyrtare ku shprehim vullnetin dhe gatishmërinë që nga buxheti i bashkisë të financojmë rindërtimin deri në datën 28 nëntor të vitit 2012 kur do të festohet 100 vjetori i pavarësisë. Pra, Bashkia e Korçës është e gatshme të financojë rindërtimin e këtij monumenti kulture”, – deklaroi Peleshi.


Ndërkohë, mësohet se pas një denoncimi të bashkisë të depozituar pranë Prokurorisë së Korçës, kjo e fundit ka nisur hetimet për gjetjen e personave të cilët kanë shembur ndërtesën.


“Shtëpia e Flamuri”t ku Themistokli Gërmenji në 10 dhjetor 1916 e shpalli Korçën krahinë autonome u shkatërrua një ditë më parë me mjete të forta. Ndërtesa, e cila është Monument Kulture e Kategorisë së Parë, ndodhet në lagjen muzeale të qytetit juglindor, përgjatë bulevardit “Shën Gjergji”.

17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)