Mirëqenia Sociale


Veliaj: 18 milionë dollarë vetëm në shërbim të pagesave të këstit të parë


veliaj me ish te perndjekurit politikeNis shpërndarja e këstit të parë të pagesës së dëmshpërblimeve, për 44 ish të përndjekur politikë, që nuk janë paguar kurrë më parë. Bari Grabova, 80 vjeç, është një nga të parët, që Ministria e Mirëqenies Sociale, zgjodhi për t’i dhënë këstin e parë të dëmshpërblimit, për kryerjen e 8 viteve burg, në periudhën e regjimit komunist.


“Para 3 javësh, në institutin e ish të përndjekurve, së bashku me Kryeministrin bëmë një premtim publik dhe shumë njerëz thanë: ‘Djema, folët shumë mirë, por këto fjalë kemi 23 vjet që i dëgjojmë dhe s’kemi marrë ende asgjë. Gjithmonë, kam këmbëngulur të jemi ministri e punëve dhe jo e llafeve, e ja ku jemi sot duke dhënë paratë e dëmshpërblimit”, tha ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Sipas tij, arsyeja pse ka kërkuar që fondi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve të jetë 18 milionë dollarë, është që kjo shumë parash të jetë e mjaftueshme për t’u disbursuar plotësisht brenda vitit, për ata ish të dënuar politikë, që nuk kanë marrë akoma asnjë lek për dënimin që kanë kryer.


“Ajo që më rezultoi gjatë 8 viteve të shkuara është se fondi që jepej as nuk shpenzohej për shkak të burokracive. Kështu, kam kërkuar që pavarësisht rrethanave, fondi të shpenzohet 100%, në mënyrë që vitin tjetër të shpenzojmë më shumë e të jemi më eficentë. Prandaj kjo që po bëjmë sot është një dëmshpërblim ndaj disa njerëzve. Shumë prej të mirave publike që kemi sot në Shqipëri janë bërë pa pagesë nga njerëz që kanë punuar të detyruar, nën dhunë. Prandaj, kjo nuk është çështje politike, por një takim mes shqiptarësh”, theksoi ministri i Mirëqenies.


Sipas të dhënave nga ky institucion, rezulton se brenda muajit gusht pritet të përfundojë procesi i pagesave për ish të përndjekurit që nuk kanë marrë ende këstin e parë, për të cilët janë parashikuar 10 milionë dollarë. Ndërkaq, pjesa e mbetur, 8 milionë dollarët e tjerë do të përdoren për të dëmshpërblyer ata ish të përndjekur që janë ende gjallë.


Mësohet se nga 560 ish të përndjekur, që do të përfitojnë këtë vit këstin e parë të dëmshpërblimit, 180 prej tyre janë të moshës mbi 85 vjeç.