Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur sot mbledhjen ku është miratuar rendi i ditës që përfshin propozimin për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Vendimi u miratua me 12 vota pro dhe 1 abstenim.
Në këtë mbledhje munguan tre anëtarë të këshillit Gaz Paja, Aldo Merkoci dhe Joleza Koka të cilët përmes mungesës së tyre nuk morën pjesë në votimin për shkarkimin e Veliajt.
Diskutimet në sallë ishin të mbushura me tone kritike ndaj kryebashkiakut të arrestuar. Anëtarja e Këshillit nga radhët e PD-së, Ilda Zhulali, deklaroi:
“Erion Veliaj është gjallë. Ai duhet të ishte këtu. Për sa kohë ju ja mohuat, mua më vjen mirë që ai sot mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë gjithë këto vite. Le ta provojë Erion Veliaj nga qelia ku është dhe nëse na ndjek, e përshëndesim. Vendimi është i paplotë. Ai duhet të ishte shkarkuar nga kjo detyrë që në vitin 2023.”
Ndërkohë, Endri Shabani theksoi se kërkesat për largimin e Veliajt janë injoruar prej muajsh:
“Kërkesa ime është injoruar në shkurt, mars, prill, maj, korrik. Ai e di shumë mirë që nuk është kryetar dhe nuk duhet të ishte kryetar. Duhet ta jepte dorëheqjen në dhjetor, duhet ta jepte në shkurt, kur u fut në burg. Duhet ta jepte në korrik kur vendimi i Gjykatës së Lartë vendosi që ai s’do dilte nga burgu. Erion Veliaj e ka mbajtur këtë qytet peng me lejen tuaj. Çdo anëtar i PS duhet ta nise me një ndjesë ndaj qytetarëve të Tiranës.”
Ai i bëri thirrje anëtarëve të këshillit që të votojnë në favor të shkarkimit, duke theksuar se vendimi është në interes të publikut dhe duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen.
Procesi për shkarkimin e Veliajt pritet të vijojë me votimin përfundimtar, ndërsa situata politike në Tiranë mbetet e tensionuar.