Ka nisur sot në Parkun Olimpik procesi i numërimit të votave të ardhura nga Greqia, të cilat ishin lënë pezull pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikim të rregullsisë së procedurës së dërgimit dhe pranimit të tyre.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar se nga verifikimet nuk është konstatuar asnjë parregullsi në këto kuti, duke i hapur rrugë procesit të numërimit të tyre.

Megjithatë, Partia Demokratike vijon të kundërshtojë përfshirjen e këtyre votave në rezultatin përfundimtar. Përfaqësuesi i PD-së, Marash Logu, bëri me dije se partia ka urdhëruar që çdo fletë votimi e ardhur nga Greqia të kontestohet nga numëruesit dhe komisionerët e saj.

Në udhëzimin e lëshuar nga Sekretari i PD-së thuhet se:

“Ne i kontestojmë të gjitha votat e ardhura nga shteti grek dhe kërkojmë mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar, për shkak se shpërndarja dhe marrja në dorëzim e tyre nga operatori postar nuk ka garantuar as minimumin e standardit të sigurisë së votës sa i përket marrjes dhe dorëzimit individual.”

PD ngre shqetësime për procesin e administrimit të votave nga diaspora, duke vënë në dyshim integritetin e zinxhirit të shpërndarjes dhe mbledhjes së tyre.

Përplasja politike mbi votat e emigrantëve pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mbeten të hapura në disa qarqe ku këto vota mund të jenë vendimtare.