Ka nisur seanca në themel për kryetarin  e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit e terë.

Veliaj nuk është i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm biznesmeni Elman Abule dhe ish-efektivi i policisë Fatjon Baci, të cilët po përballen me akuzat përkatëse në këtë proces.

Çfarë ndodhi seancën e kaluar?

Seanca e 1 prillit u shty, ndërsa avokati i Veliajt, Plarent Ndreca deklaroi se nuk ka strategji për ta shtyrë procesin, por duhet kohë për t’u njohur me dosjen.

Gjithashtu ai tha se ka një nxitim për këtë çështje nga ana e gjykatës, ndërsa shtoi se prokurori Ols Dado kishte një reagim emocional në sallën e gjyqit, që nuk janë në përputhje me rolin e tij.

“Unë vlerësoj që ajo që konstatohet është fakti që ka një nxitim për të bërë një proces që është voluminoz. Ju e dini që ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë mundësinë Erion Veliajt për tu mbrojtur. Nuk e kuptoj nxitimin, nuk e kuptoj nxitimin për të cënuar të drejtat kushtetuese.

Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt është një lidhje emocionale dhe nuk ka lidhje me përputhjen e rolit të prokurorit.

Nuk ka strategji për ta shtyrë, por për ta njohur çështjen në themel. Ne do kemi një ekip jo vetëm avokatësh, por edhe ekspertësh.

Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij. Ai akoma nuk është njohur me dosjen. Ka filluar leximi, ai lexon me një rritëm 200-300 faqe në ditë dosjen. Por është një dosje shumë voluminoze. Vetëm prova materiale janë rreth 1500 faqe”, tha Ndreca.