Kuvendi i Shqipërisë ka çelur këtë të enjte seancën plenare, e cila pritet të dominohet nga debatet politike mes mazhorancës dhe opozitës, me fokus raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve dhe një sërë interpelancash me anëtarë të qeverisë.

Pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar dhe procedurave të zakonshme parlamentare, diskutimet do të përqendrohen te mocioni me debat për problematikat e evidentuara në raportin e DASH dhe në progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Pritet që opozita të ngrejë shqetësime lidhur me korrupsionin, klimën e biznesit, ekonominë dhe standardet që lidhen me procesin e integrimit europian, ndërsa mazhoranca do të mbrojë rezultatet e qeverisë në këto fusha.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe projekt-rezoluta “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Një tjetër pikë që pritet të sjellë tensione në sallë janë interpelancat me kryeministrin dhe ministrat. Kryeministri Edi Rama do të përballet me pyetjet e deputetit Tritan Shehu.

Interpelanca janë parashikuar edhe me:

Albana Koçiu, me kërkesë të deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri;

Petrit Malaj, me kërkesë të deputetit Enno Bozdo;

Ervin Demo, me kërkesë të deputetit Erion Braçe;

Besfort Lamallari, me kërkesë të Erion Braçe, si edhe të Agron Shehaj dhe Erald Kapri.