Këtë të mërkurë nis zbatimi i amnistisë penale. Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi.

Në total përfitojnë 1335 të dënuar në Shqipëri, nga të cilët 541 lirohen menjëherë, mes të cilëve 11 gra dhe 1 i mitur, dhe u ulet dënimi 868 të tjerëve të dënuar, nga të cilët 8 gra dhe 2 të mitur.

Nga kjo amnisti penale u përjashtuan të gjithë subjektet e SPAK, të cilët nuk përfitojnë asgjë nga ky vendim i ri.

Në ditën e fundit para miratimit, Ministria e Drejtësisë zgjeroi amnistinë penale duke shtyrë afatin e përfituesve nga 31 dhjetor 2025 në 31 maj 2026.

Me këtë shtyrje, nga amnistia penale përfitojnë lirim të parakohshëm jo vetëm ata që kanë marrë një dënim të formës së prerë brenda vitit 2025, por përfshihen edhe ata të cilët janë dënuar me formë të prerë deri më 31 maj 2026, sipas kategorive të veprave penale që përfshin amnistia.

Por çfarë parashikon kjo amnisti?

Tashmë me miratimin e amnistisë penale, me hyrjen në fuqi të amnistisë lirohen menjëherë gratë që u kanë mbetur deri në 4 vite burg dhe burrat që u kanë mbetur deri në 3 vite, pavarësisht dënimit fillestar, një vendim që duhet të jetë marrë brenda afatit 31 maj 2026.

Me përjashtim të veprave të rënda penale, përfitojnë gjithashtu gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël kur kanë kryer veprën.

Kategoritë që nuk përfitojnë nga amnistia e plotë, por vetëm nga një ulje dënimi me një vit janë persona të dënuar për vepra të rënda penale, krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra kundër fëmijëve, përfshirje në organizata kriminale apo korrupsion, ndërsa përjashtohen personat e dënuar për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër shëndetit, krime kundër mjedisit, krime kundër pavarësisë e rendit kushtetues, krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, krime me qëllime terroriste, krime kundër autoritetit të shtetit, krime kundër drejtësisë, krime kundër zgjedhjeve, krimet nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, si dhe krime që gjykohen nga GJKKO.