Është nisur drejt Italisë për një ndërhyrje kirurgjikale 28-vjeçari Erjon Vishkulli. Pak para nisjes së të riut, Vilma Mema, shefe e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, është shprehur se 28-vjeçari do të kryejë një ndërhyrje të dytë në Itali. 

Mema bëri me dije se gjendja e tij paraqitet më e stabilizuar, ndërsa ndërhyrja e radhës do të jetë vendimtare për vlerësimin e mëtejshëm të dëmtimit. Sipas mjekes, pas ndërhyrjes së dytë do të mund të ketë më shumë të dhëna mbi shikimin dhe mundësinë e rikuperimit. 

“Unë do të paraqes shkurt situatën që kemi konstatuar sot me mjekët e Spitalit të Traumës, dr. Elvisin, i cili ka kryer mbrëmë ndërhyrjen dhe mjekët e Shërbimit Universitar Nënë Tereza në QSUT. Sot kemi disa shenja pozitive pas konsultës me stafin e gjerë të kryer. Situata duket disi më e stabilizuar nga përfundimet që ne konstatuam dje. Përsëri stafi ka arritur në përfundimin se duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë, ajo e vitektromisë me heqjen e trupit të huaj, që kryhet në shërbimin e QSUT-së Nënë Tereza, por për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specialisuar për retinën, traumat në Itali. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët janë vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot. Jemi në bashkëpunim me mjekët atje sesi do të kryhet ndërhyrja e dytë dhe si do të jetë vijimësia në të ardhmen. Përsa i kërket shikimit, është në të gjithë protokollet ndërkombëtare, kryhet ndërhyrja e parë dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar. Kjo do duket në ditët në vijim”, tha mes të tjerash Mema