Partia Demokratike do të çelë zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit, sot në orën 19:00, me një aktivitet në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në skenë do të ngjitet kreu i PD-së, Sali Berisha, si dhe strategu i njohur amerikan Chris LaCivita, i cili është pjesë e ekipit të fushatës së Donald Trump dhe pritet të mbërrijë në Shqipëri mbrëmjen e sotme.
Përveç figurave politike, në aktivitet do të marrin pjesë edhe qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, të cilët do të ndajnë historitë e tyre personale në podium.
Më 12 prill pritet të prezantohet zyrtarisht programi elektoral i PD-së, ndërsa kandidatët do të nisin takimet me qytetarët për të prezantuar objektivat dhe angazhimet e tyre.
Në një deklaratë për mediat, Berisha nuk dha detaje mbi surprizat që do të zbulohen gjatë aktivitetit, ndërsa theksoi se PD gëzon një mbështetje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Rama është i tmerruar nga vota e lirë. Unë s’jap përqindje dhe numra se nuk jam profet. PD ka një mbështetje madhore kombëtare të qytetarëve shqiptarë për fitoren më 11 maj,” tha Berisha.
Ai shtoi se entuziazmi dhe optimizmi që ekziston në vend janë tregues të mbështetjes për PD-në dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
