Presidenti Ilir Meta ka shkarkuar nga detyra ambasadoren tonë në OKB, Besiana Kadarenë. Ajo është vajza e shkrimtarit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Lajmi për shkarkimin e Kadaresë, sipas News 24, lidhej me faktin se asaj i ka mbaruar mandati si ambasadore. Lajmi u konfirmua nga Presidenca dhe per Gazeta “Shqip” Normalisht kjo është në të drejtën e presidentit, por ndërsa nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ministria e Jashtme për ta zëvendësuar Kaderenë, si rregull ajo duhet të qëndrojë në detyrë deri sa t’i vijë pasardhësi.

Por duket se Meta ka marrë këtë veprim si një lloj “hakmarrjeje” për faktin se presidenti nuk mori pjesë në sesionin e OKB-së, por që Shqipëria në këtë sesion u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama.

Rama menjëherë pasi u votua në Parlament së bashku me ministrat, si dhe u betua në presidencë, udhëtoi drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në këtë sesion të OKB-së. Vitin e kaluar ka qenë presidenti Meta që kryesoi delegacionin shqiptar dhe mbajti fjalën në emër të shtetit shqiptar.

Vitin e kaluar Kadare do të zgjidhej si zv/presidente e Asamblesë së OKB-së, e presidenti do ta uronte për marrjen e një posti të tillë.

“Caktimi i Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror. Shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë”, do të shkruante Meta në korrik të 2020-ës.