Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe Air Transat njoftojnë hapjen e linjës së parë direkte pa ndalesë midis Tiranës dhe Torontos, duke shënuar një moment historik për aviacionin shqiptar.
Ky shërbim shënon fluturimin e parë trans-oqeanik nga TIA dhe lidhjen e parë ajrore direkte midis Shqipërisë dhe rajonit të Atlantikut të Veriut.
Fluturimi inaugurues do të realizohet më 19 qershor 2026, në orën 15:00, ndërkohë që fluturimi i parë nga Toronto është parashikuar në 18 qershor 2026, në orën 22:00. Avioni që do të operojë këtë linjë do të jetë një Airbus A330-200, me një kapacitet prej rreth 350 vendesh. Fluturimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.
“Hapja e linjës Tiranë–Toronto me Air Transat është një arritje madhore për TIA-n dhe për Shqipërinë. Ky është shërbimi ynë i parë transoqeanik dhe lidhja jonë e parë direkte me Atlantikun e Veriut. Ne përgëzojmë Air Transat për besimin dhe falënderojmë të gjitha ekipet dhe palët e përfshira për bashkëpunimin e shkëlqyer. Së bashku, po hapim horizonte të reja për pasagjerët, turizmin dhe lidhjet ekonomike ndërmjet Shqipërisë, rajonit dhe Kanadasë”, tha drejtori i Operacioneve i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, z. Piervittorio Farabbi.
Linja e re ajrore i përgjigjet kërkesave në rritje për fluturime direkte jo vetëm mes Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit dhe Kanadasë duke ofruar shërbime cilësore dhe të besueshme. Fluturimi Tiranë–Toronto e thjeshton ndjeshëm udhëtimin, duke e bërë atë më të shpejtë dhe më praktik për pasagjerët.
Kjo linjë gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht për zhvillimin e turizmit, aktivitetin e biznesit dhe në shkëmbimet kulturore. Angazhimi i Qeverisë Shqiptare dhe koordinimi i ngushtë i autoriteteve shtetërore ishte vendimtar në finalizimin e marrëveshjes së lidhjes ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë në një kohë rekord.
Hapja e linjës Tiranë–Toronto është bërë e mundur edhe falë investimeve të vazhdueshme të Grupit Kastrati në modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat kanë siguruar kapacitetet infrastrukturore dhe operacionale të nevojshme për këtë destinacion ndërkontinental.
Linja Tiranë–Toronto forcon më tej rrjetin në zgjerim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe nënvizon fokusin strategjik të TIA-s në rritjen afatgjatë, përmirësimin e lidhshmërisë dhe zhvillimin e Tiranës si një nyje kyçe e aviacionit për rajonin.
Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është porta kryesore ajrore e Shqipërisë, duke shërbyer si një motor kyç për turizmin, zhvillimin ekonomik dhe lidhjen ndërkombëtare. I vlerësuar si aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë, aeroporti mban lidershipin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për nga lidhshmëria, numri i pasagjerëve dhe investimet.
Rreth Air Transat
E themeluar në Montreal në vitin 1987, Air Transat është një kompani ajrore lider, e votuar nga pasagjerët si Linja Ajrore më e Mirë për Udhëtime Rekreative në Botë 2025 në Skytrax World Airline Awards.
Programi i saj ofron akses në destinacione ndërkombëtare, kryesisht në Evropë, Karaibe, bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Afrikën e Veriut. Air Transat njihet për shërbimin e shkëlqyer ndaj klientit dhe operon me një flotë që përfshin disa nga avionët më efikasë për nga konsumi i energjisë në kategorinë e tyre.
Me seli në Montreal dhe baza kryesore në Aeroportin Ndërkombëtar Montréal–Trudeau (YUL) dhe Aeroportin Pearson të Torontos (YYZ), kompania ka rreth 5,000 punonjës me një qëllim të përbashkët: të afrojë njerëzit me njëri-tjetrin. Air Transat është një njësi biznesi e Transat A.T. Inc. (TSX: TRZ).
www.airtransat.comA.T. Inc. (TSX: TRZ). www.airtransat.com
