Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia kundër nismës së kryeministrit Edi Rama, për të ndryshuar ligjin mbi pezullimin e zyrtarëve shtetërorë.

Meta e cilëson këtë nismë si “ligje me porosi”, duke thënë se Rama po përdor si justifikim merakun për pezullimin e Presidentit të Republikës. Sipas Metës, Rama duhet të lexojë Kushtetutën, pasi presidenti nuk pezullohet nga asnjë institucion.

 “Tani, ligje me porosi edhe mbi Reformën në Drejtësi! Kemi qenë dëshmitarë të ligjeve me porosi, të miratuara në shkelje të Kushtetutës, për të favorizuar biznesmenë të caktuar të lidhur ngushtë me Edi Ramën. Jo vetëm, që i kemi denoncuar publikisht këto akte, por i kemi kallëzuar edhe në SPAK.

Por tani dëgjojmë se do të ketë ligje me porosi edhe mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku ‘meraku’ kryesor qenka rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës. I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës. Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vendos të vetëpezullojë veten”- shkruan Meta.