Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku deputeti Agron Shehaj mori një dokument të klasifikuar që lidhej me marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas u largua me vrap nga salla e parlamentit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet momenti i largimit të Shehajt me dokumentin, Rama ka akuzuar kreun e Partisë “Mundësia”, duke e cilësuar veprimin e tij si të papranueshëm.
Kryeministri e ka krahasuar Shehajn me një “ballist”, duke deklaruar se “vesi del me shpirtin”, ndërsa i ka bërë thirrje prokurorisë që të ndërhyjë dhe të zbatojë përcaktimet ligjore për rastin.
Rama: Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.
Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumentave të klasifikuar kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit
