Tani, do të analizojmë një tjetër zonë të kthyer në epiqendër të fotovoltaikëve, qarkun Korçë në Juglindje. Në atë zonë ka hyrë dominues me disa projekte biznesmeni Ilir Shtufi.
Ai rezulton pronar i drejtpërdrejtë, bashkëpronar ose përfitues përmes administratorëve të lidhur me kompani që kanë siguruar leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.
Një element që përsëritet në mënyrë konstante është prania e të njëjtit administrator, Edmond Zalla, duke krijuar një strukturë të centralizuar kontrolli përmes entiteteve formalisht të ndara. Ligjërisht kjo është korrekte, por zbulon forcën dominuese të një grupimi të caktuar biznesi në këtë treg.
Aktualisht, administratori është i njëjtë për disa prej subjekteve për arsye: operacionale, të gjitha projektet janë në të njëjtën zonë gjeografike; ekonomike, optimizim i kostove të administrimit; eksperiencë dhe vazhdimësi menaxheriale. Kjo nuk cenon në asnjë mënyrë personalitetin juridik të veçantë të çdo shoqërie tregtare.
Kompanitë e rrjetit të biznesmenit Shtufi janë një tjetër rast tipik i sigurimit të disa lejeve të ndryshme për parqe të vogla deri në 2 megavat. Parqe të cilat janë përfituese të lehtësive dhe shitjes së garantuar me Furnizuesin e Tregut të Lirë. Në përgjigje të interesit tonë, rrjeti i kompanive pretendon se projektet me kapacitet 2 megavat nuk janë një manovër për të shmangur ligjin, por një reflektim i kuadrit ligjor që ishte në fuqi në momentin e zhvillimit të tyre.
Gjatë viteve 2017–2022, legjislacioni shqiptar lejonte ndërtimin e impianteve fotovoltaike deri në 2 MW jashtë skemës së koncesioneve dhe ankandeve, në bazë të VKM-ve përkatëse. Vetëm në vitin 2023 Shqipëria kaloi drejt mekanizmit të ankandeve konkurruese. Subjektet janë krijuar në vitet 2017–2018 dhe janë blerë më pas nga investitorët aktualë.
Të paktën 6 prej këtyre projekteve me nga 2 megavat secili janë përqendruar në Bilisht, pranë njëri-tjetrit, në fshatrat Bitinckë dhe Tren. Fjala është për projektet e kompanive “Erni Solar”, “Korca Photovoltaic Park”, “NTSP”, “RTS” sh.p.k. dhe “Tren Sun System”. Për këtë të fundit bie në sy fakti se më 6 qershor 2022 Bordi i ERE e refuzoi kërkesën për t’u licencuar për shkak të disa mangësive. Por në një kohë mjaft të shpejtë, më 21 korrik, licenca u aprovua. Në të njëjtën skemë administrimi rezultojnë kompanitë “Alb Energy Trade” dhe “Delvina System Solar”, për të cilat lejet përkatëse nuk janë bërë ende publike.
“Kemi kontrata me Furnizuesin e Tregut të Lirë, si institucioni i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë nga burimet e rinovueshme. Çmimi është përcaktuar sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë”.
“Qëllimi është që qytetarët të kenë çmimin e energjisë më të ulët në rajon, pra ne sot kemi çmimin më të lartë se Kosova, një familje shqiptare paguan për të njëjtin konsum shumë herë më lart se një familje që konsumon të njëjtën sasi energjie në Kosovë, në Prishtinë”, u shpreh Azmer Dulevic, inxhinier.
“Duan që të ulin koston dhe i vendosin kryesisht shumë afër me tokën, ku nuk ka as hapësirë për rrezet e diellit por edhe për ajrosje, që nuk mund t’i shfrytëzosh për kultura bujqësore. Këtu është një problematikë tjetër tek kriteret që jepen për licencimin e këtyre kompanive për prodhimin e energjisë elektrike”, u shpreh Azmer Dulevic, inxhinier.
Referuar dokumenteve që ndodhen në QKB bie në sy fakti se administrator i kompanive të biznesmenit Ilir Shtufi është njëkohësisht edhe administrator në kompaninë “Sun Beat System”, e cila është në pronësi të Isuf Berberaj me 64 për qind dhe Tomor Nallbati me 36 për qind. Sërish një projekt 2 megavat me vendndodhje në Bitinckë të Bilishtit. Një tjetër kompani, “Green Energy Bilishti”, me të njëjtën strukturë pronësie dhe administrimi, është licencuar për një park me kapacitet 2 megavat në zonën Sheq Marinas, në Fier. Kjo licencë është dhënë për një afat 30-vjeçar, duke garantuar të drejtën afatgjatë të shfrytëzimit të energjisë.
“Qytetarët duhet të kuptojnë një gjë: ne na duhet energjia elektrike, por kur jepet leja në kullota apo në toka bujqësore unë mendoj se nuk është përfitimi më i madh sesa dëmi që këto do të shkaktojnë në komunitet ose në zona të caktuara. Duhet parë edhe pjesa e tokës ku janë vendosur sepse del jashtë funksionit dhe nuk përdoret më toka në mënyrën se si këta i implementojnë këto panele fotovoltaike”, u shpreh Azmer Dulevic, inxhinier.
Afatet e këtyre lejeve variojnë nga 25 deri në 30 vjet, çka u jep kompanive të lidhura me biznesmenin Shtufi të drejtën e zhvillimit dhe shfrytëzimit afatgjatë të projekteve energjetike. Ky është një tregues i rëndësishëm, pasi këto autorizime përfaqësojnë jo vetëm të drejtën për ndërtim, por edhe përfitime ekonomike të zgjatura në kohë. Rrjeti i kompanive tha se për çështjen e tokës procedurat fillestare janë ndjekur nga investitorët e parë dhe kur subjektet janë blerë, kontratat ekzistonin dhe janë vijuar me pëlqimin e bashkisë.
Top Channel
