Pavarësisht kundërshtive dhe mendimeve që mund të jenë edhe subjektive, nëse analizojmë në objektivitet, reforma në gjyqësor kishte dy shtylla kryesore që pretendonte se do të përmirësonte. Cilësinë në gjykime dhe uljen e stokut të dosjeve.

Nëse e para mbetet evazive, pasi mendimet janë të ndryshme dhe në nivel profesionistësh, te pjesa e dosjeve të pagjykuara, që kanë mbetur dhe janë pluhurosur në zyrat e gjykatave, as optimisti më i madh, nuk guxon ta kundërshtojë. Gjyqet janë zgjatur, ndërsa numri i dosjeve është rritur.

“Pas 10 vitesh, një proces gjyqësor civil zgjat mbi 10 vite, ndërsa një penal shkon mbi 5 vite. Aksesi në gjykata, janë mbyllur 12 gjykata. Për të shkuar në gjykata është bërë më e vështirë qoftë në përmbajtje, gjykatat nuk u përgjigjen çështjet e qytetarëve”, u shpreh ish prokurori, Besnik Muci.

“Kohëzgjatja e gjyqeve dhe më e gjatë dhe më problem se përpara, pasi është rritur numri i neneve dhe përgjegjësive penale, duke u rritur numrin e veprave penale në fushën penale. Problem janë çështjet civile dhe administrative, pasi nuk kanë afate kohore të parashikuara në ligje siç mund të ketë fusha penale me afatet e paraburgimit”, u shpreh avokati Bledar Meminaj.

“Një nga arsyet se pse është bërë stoku i tillë është se gjyqtarët po fokusohen më shumë te pjesa cilësore se sa sasiore e gjykimeve. Ne e kemi të pamundur të çedojmë te kjo pjesë, pavarësisht ngarkesës. Ne dhe qytetarët i mirëkuptojmë që duan të mbarojnë shpejt, por vlerësoj se cilësia është më e rëndësishme se sa shpejtësia e gjykimit”, u shpreh kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Elis Dine.

Nëse penalet ecin disi më shpejt dhe për shkak të afateve ligjore, problemi më i madh mbetet me çështje të tjera. Shpesh, dhënia e vendimit tej gjykimit të arsyeshëm, humbet qëllimin dhe efektet e drejtësisë në vetvete.

“Kryesisht janë ato civile, administrative, problematika të mëdha ka gjykata e apelit, problematikë të madhe vazhdon e mbetet gjykata e lartë, pavarësisht se e ka rritur ritmin është shumë larg atyre që po gjykon”, u shpreh avokati Redi Ramaj.