Artemisa Hoxha



Në shtëpinë e fëmijës “Zyber Halluli”, në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, jetojnë 46 fëmijë dhe 36 punonjës që kujdesen për ta. Numër i konsiderueshëm në raport me atë të fëmijëve, pasi matematikisht rezulton që për 4 fëmijë kujdesen fizikisht por edhe shpirtërisht, 3 punonjës. Por, drejtoresha e shërbimit social shtetëror, Etleva Bisha, sqaron për gazetën “Shqip” se 36 punonjësit e stafit të këtij institucioni, janë të domosdoshëm, për sa u takon funksioneve që kryejnë, referuar edhe faktit që punojnë me tri turne, gjatë gjithë ditës-natës.


[callout]Ankesat – Në ambientet e brendshme është një kuti metalike, ku fëmijët hedhin me dorën e tyre letra, ku shkruajnë ankesat që kanë, që lexohen nga SSHSH përfaqësues të Avokatit të Popullit çdo muaj[/callout]


“Shtëpia e fëmijës ‘Zyber Hallulli’ është qendër rezidenciale, që ofron shërbim 24 orësh dhe 7 ditë në javë. Stafi është me turne, për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve 24 në 24, sipas roleve të përcaktuara: kujdestar, edukator, punonjës social, psikolog, mjek, punëtorë higjiene, kuzhinier, mirëmbajtës, roje, etj.”, sqaroi drejtoresha e SHSSH-së.


46 fëmijë me prindër të divorcuar, në mungesë të prindërve të tyre biologjikë apo edhe familjarëve, jetojnë në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, qendër rezidenciale që ofron shërbim 24 orë për secilin prej tyre. Fëmijë të moshës 6-16 vjeç, që gëzohen pafundësisht kur shikojnë të huaj, që hynë në banesën e tyre për t’i përshëndetur, për t’u argëtuar apo për të biseduar me ta. Gjashtë edukatore dhe 12 kujdestare, të cilat punojnë me tri turne, përfshirë këtu edhe përgjegjësen e sektorit social, mjekun si dhe psikologun, janë jo vetëm ata që kujdesen për t’i ushqyer, për t’i mësuar e për t’i edukuar, por edhe që i mbështesin moralisht e i përgatisin për jetën.


Enkeleda Isaku, një prej psikologeve të kësaj shtëpie të ngrohtë, na tregon me shumë dashuri për punën e madhe që bëhet nga stafi i këtij institucioni, në shërbim të fëmijëve, pa anashkaluar edhe vështirësitë me të cilat përballen.


“Ne ofrojmë shërbim 24 orë në 24 orë. Duken aq të thjeshta gjërat në pamje të parë, por ne kemi raste që përballemi edhe me prindër që janë neglizhentë. Duhet të jesh elastik si natyrë, duhet të dish ku të shtrëngosh e ku të lëshosh. Gjithë puna që bëjmë është ideja që këta fëmijë të rikthehen në familjet e tyre, por është edhe një gjë negative që shkaktohet. Qëndrimi i një kohe të gjatë këtu sjell edhe shkatërrimin e lidhjes me familjen biologjike”, shprehet psikologia. Edhe pse deri më tani në këtë shtëpi kanë qëndruar fëmijë të moshës deri 16 vjeç, pritet që kjo moshë të rritet, pasi në të fëmijët do të qëndrojnë deri në moshën 18 vjeç.


Që në hyrje të shtëpisë “Zyber Hallulli”, nuk mungojnë të qeshurat e fëmijëve, përkëdheljet apo dhe përqafimet dashamirëse që ata kanë për kujdestarët dhe punonjësit e kësaj shtëpie. I shikon të lumtur, sikur çdo gjë të jetë perfekte në jetën e tyre, duke mos e nxjerrë në asnjë moment në pah shqetësimin që mund të kenë se jetojnë pa familje, por me njerëz që fati i ka sjellë për të ndarë dhomat dhe për t’u shkolluar bashkë. Ambienti, i cili është i ndarë në katër apartamente, rrethohet me piktura të shumta plot ngjyra, të cilat janë bërë nga një grup studentësh shqiptarë, që studiojnë për pikturë në Paris. Në katin e parë, janë dy apartamentet e vajzave, të ndara sipas grupmoshave, përkatësisht 6-9 vjeç, 9-12, 12-14 dhe 14-16 vjeç. Çdo apartament ka përveç dhomave të gjumit, kuzhinën, sallonin e përbashkët dhe klasat e studimit të nxënësve si dhomat e veçanta të kujdestareve. Çdo gjë është nëpër vende, shtretër të rregulluar nga vetë fëmijët, dollapë me rroba të palosura si dhe këpucë në rafte të caktuara. Një sistemim ky që vihet re edhe në apartamentet e katit të katërt, në të cilët qëndrojnë djemtë të ndarë edhe këta sipas grupmoshave. Jetojnë nga katër fëmijë në dhomë që herë-herë ka edhe të afërm brenda dhomës, si vëllezër e motra bashkë. “Ne jemi ëmbëlsira e shtëpisë, jemi më të mëdhenjtë dhe më të mirët”, thotë duke buzëqeshur një prej djemve të rritur të shtëpisë.


 


Studimi dhe argëtimi


Studiojnë jo shumë larg ambientit ku jetojnë, në shkollën e mesme “Osman Myderizi”, prapa ambasadës amerikane. “Na vjen mirë që fëmijët tanë nuk paragjykohen apo diskriminohen në shkollën ku mësojnë”, tregon psikologia. Për studimin dhe përgatitjen e tyre u vijnë në ndihmë edhe dy salla interneti që janë hapur në këtë shtëpi. Zakonisht e mbarojnë mësimin në orën 13:00, por ka edhe fëmijë që shkojnë në shkollë pasditeve. Pas mësimit, të gjithë në kuzhinat e apartamenteve ulen të hanë drekën, e cila ka një meny të ndryshme për çdo ditë. Janë gjatë gjithë kohës nën vëmendjen e kujdestareve dhe edukatoreve, vëmendje, e cila evidentohet edhe në fletoret e informacionit që ato plotësojnë në çdo turn në lidhje me çdo zhvillim që bëhet gjatë ditës dhe natës për mbarëvajtjen e jetesës së fëmijëve. “Përveç punonjësve që shpeshherë i mësojnë që të qëndisin, është dhe një mesogrua, që vjen shpesh dhe në mënyrë vullnetare mëson vajzat që të qepin dhe të qëndisin, të paktën të jenë deri diku të përgatitura për diçka sado minimale kur të dalin prej këtu”, tregon psikologia, e lumtur, për faktin se ka njerëz që kujdesen për ta, edhe pse nga “larg”.