Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka drejtuar një apel të drejtpërdrejtë të rinjve, duke i ftuar që të reagojnë dhe të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre.
Në një takim me të rinjtë, një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar para Kryeministrisë, Berisha deklaroi se roli i brezit të ri është vendimtar për ndryshimin e realitetit politik dhe shoqëror në vend. Ai solli si shembull lëvizjet e të rinjve në vende të ndryshme të botës, duke theksuar se gjenerata Z ka qenë faktor kyç në përmbysjen e regjimeve dhe në tronditjen e pushteteve të forta.
Sipas tij, ashtu si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka apo Beograd, ku protestat studentore kanë sfiduar pushtetin pas ngjarjeve të rënda dhe humbjes së jetëve njerëzore, edhe të rinjtë shqiptarë duhet të marrin përsipër misionin për të sjellë ndryshim.
Berisha theksoi se përballja me regjime autoritare kërkon vendosmëri dhe angazhim afatgjatë, duke nënvizuar se kjo nuk është një betejë e zakonshme, por një sfidë për të ardhmen. Ai u bëri thirrje të rinjve që ta shohin këtë moment si një mundësi për të rikthyer shpresën, besimin, lirinë dhe të drejtat, jo vetëm për veten e tyre, por për gjithë shoqërinë shqiptare.
