Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në kampin “Rin Camp 2026”, ku u ndal te ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se më 14 korrik Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.

Ai kujtoi se Shqipërisë i ishte refuzuar tri herë hapja e negociatave, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, ndërsa tha se perceptimi i disa vendeve anëtare ndryshoi pas finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoordit, kur mijëra tifozë dhe gazetarë vizituan Tiranën.

“Marrëdhëniet tona me Holandën, që kanë qenë më të vështirat me anëtarët e BE-së, ndryshuan tërësisht pas asaj ndeshjeje. Njerëzit panë nga afër realitetin dhe kuptuan se Shqipëria nuk ishte ajo që përshkruhej”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se fillimisht do të udhëtojë në Paris për një aktivitet, ndërsa më pas do të shkojë në Bruksel për të vijuar procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave.

Sipas tij, Shqipëria i hapi të gjithë kapitujt në një kohë rekord falë përgatitjeve të bëra më herët dhe tashmë ka nisur faza e mbylljes së tyre.

“Tre kapitujt e parë i mbyllim më 14 korrik. Kjo është ‘beso dhe kontrollo’. Partia Socialiste ka një mision historik, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është edhe misioni im. E kam besuar kur dukej e pamundur, ndërsa sot mbërritja duket me sy. Nëse kjo realizohet, historia do të sillet mirë me ne”, deklaroi Rama.