Eva Dumani, tashmë ndodhet në shtëpi.

Një rrugëtim që u deshën 12 vite të finalizohej me sukses, pas dështimit të disa tentativave private dhe shtetërore.

Për ish-drejtorin e anti-terrorrit Gledis Nano i cili ka udhëhequr operacione të mëparshme për riatdhesimin e Evës dhe shqiptarëve të tjerë nga Siria, operacioni i fundit ishte mjaft kompleks.

“Në gjykimin tim është një operacion shumë i vështirë për shkak të periudhës kur është ndërmarrë. Situata e sigurisë në Sirinë Veri-Lindore është shumë e tensionuar. Dhe mendoj se Peshën kryesore për suksesin e këtij operacioni e ka daja i Evës”, u shpreh Nano.

Vëllai i Evës Endri, u shpëtua nga ferri i kampit Al Hol, tetorin e vitit 2020 në një operacion shpëtimi nga autoritetet shqiptare ndërsa Evën radikalët e kampit e penguan t’i bashkohej familjes.

“E penguan të kthehej. Almira Daci e pengoi. As ajo vetë nuk u kthye refuzoi të riatdhesonim dhe fëmijët e saj. Ajo pengoi të gjithë që mundi duke i zhvendosur nga vendi ku ne ndodheshim”, tha ish-drejtori i anti-terrorit.

Kthimi pranë familjes nuk është fundi. Eva tashëm do të nisë një rrugëtim drejt rehabilitimit për të jetuar në liri

“Do të kryhet një ekzaminim mjekësor, i shëndetit mendor dhe vlerësim psikologjik. Do të shihet niveli i shkollimit dhe më pas do të nisë një program i dedikuar. Në këtë program do të qëndrohet derisa të vlerësohet nga ekspertët e fushës së sa zhvillim ka pasur ky person”, shprehet Nano.

Nga të dhënat rezulton se prej 2012 drejt Sirisë kanë shkuar rreth 150 shqiptarë të cilët u radikalizuan për t’iu bashkuar ISIS. Aktualisht mendohet se vetëm 30 prej tyre vijojnë të jenë në Siri.