Një banesë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019 dhe nga moti i keq i shtatorit të këtij viti, ka rrezikuar seriozisht jetën e banorëve në rrugën “Siri Kodra”, në lagjen nr. 3 të kryeqytetit. Në këtë banesë jeton e vetme një 72-vjeçare, ndërsa struktura e amortizuar e çatisë ka përbërë kërcënim të përditshëm edhe për kalimtarët.

Sipas banorëve të zonës, situata është bërë e padurueshme pas stuhisë që goditi Tiranën në fillim të shtatorit, gjatë së cilës pjesë të çatisë kanë filluar të bien në rrugë. “Para disa ditësh ra një tullë, mund të na kishte zënë fëmijët,” thotë një banore. “Kemi bërë shumë ankesa, por askush nuk ka marrë masa.”

Zonja Paqe Fishta, e cila jeton në godinën e dëmtuar, rrëfen me lot në sy se është detyruar të flejë tek një shoqe, nga frika se mos i bie çatia mbi kokë. Ajo thotë se ka marrë një ndihmë prej vetëm 3 milionë lekësh të vjetër, por që nuk mjaftojnë për asgjë.

Pas denoncimit të banorëve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, nisi reagimi institucional. Fillimisht, Njësia Administrative nr. 8 konfirmoi se kishte informuar strukturat përkatëse si Policia Bashkiake, IKMT dhe Emergjencat Civile që në datën 1 shtator, por nuk kishte marrë përgjigje.

Ndërhyrja erdhi vetëm pas insistimit të “Fiks Fare”, që kontaktoi të gjitha institucionet përgjegjëse. Brenda pak ditësh, reaguan Policia Bashkiake, zjarrfikësit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike (DNP3), të cilët eliminuan rrezikun duke shembur çatinë e dëmtuar dhe vendosur një perimetër sigurie.