Pas gjashtë ditësh zjarri masiv dhe shtëllungash tymi toksik të dendura, flakët në landfillin e Elbasanit janë vënë në kontroll.
Raportohet se ditën e sotme në zonën e vendgrumbullimit të mbetjeve nuk ka pasur më flakë. Në operacionin për fikjen e zjarrit të dyshuar të qëllimshëm u angazhuan forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, ushtrinë dhe institucionet qendrore.
Ndërkohë bëhet me dije se e gjithë sipërfaqja e landfillit, është mbuluar me mbi 35 mijë metër kub dhera. Trashësia e shtresës së dheut shkon deri në 2 metra në pjesën e sipërme dhe nga 30 deri në 50 cm në skajet anësore. Përmes kësaj synohet ndërprerja e furnizimit me oksigjen dhe ndalimi i përhapjes së mëtejshme të zjarrit në thellësi.
Qytetarët që jetojnë afër vatrës së zjarrit ishin shprehur se për shkak të tymit po përballen me probleme si frymëmarrjen dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Dy ditë më parë qytetarët protestuan për katastrofën mjedisore që po ndodh në qytetin e tyre. Banorët fillimisht u mblodhën pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe më pas marshuan drejt Bashkisë së qytetit. Ata kërkuan përgjegjësi nga institucionet për menaxhimin e kësaj krize dhe për masat që duhen marrë për të parandaluar rrezikun që zjarri i mbetjeve po u sjell.



