Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti dhe emrat më të votuar në primaret e fundit të mbajtura në PD, zhvilluan një takim që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve disa ditë më parë.

Ky takim u tha nga Sali Berisha se ishte thjesht një kafe, por ngriti dyshime se mund të ishte një grupim i ri, që po planifikon ripërtëritjen e Partisë Demokratike. Sot në “Shqipëria Live”, Aulon Kalaja, një nga pjesëmarrësit në këtë takim, ka zbuluar detaje të reja mbi atë se çfarë ndodhi në këtë takim.

“Nuk kam shkuar në atë tavolinë për të krijuar parti apo fraksion të ri politik. Unë i jam me parimin që ta kthejmë PD drejt të djathtës konservatore. Shumica që ishin në atë tavolinë nuk janë me këto bindje. Nuk jam dakord as me epitetet. Unë aty kam folur për Kodin Zgjedhor. PD është futur në negociata me PS për këtë, pa marrë mendimin e bazës. Dua të sqaroj që nuk jam as i Salianjit dhe as i Berishës.

Unë marr pjesë në forume të ndryshme për ringritjen e Partisë Demokratike. E kam bërë dhe në 2021. E njëjta gjë ka ndodhur dhe këtë herë. Më ka marrë Salianji dhe më tha që kemi një takim me më të votuarit dhe të na shpjegoni pakënaqësitë që keni patur në zgjedhje. Unë kisha një shqetësim që e besoj, që ishte se kodi i ri zgjedhor po bëhet pa konsultime. Berisha është treguar korrekt me ne, na ka vlerësuar për kontributin tonë. Unë kam qenë i pari që jam ngritur nga ai takim sepse kisha një intervistë. Nuk e di çfarë u vendos në fund. Salianji na ka telefonuar të gjithëve. Nuk e di si u bë përzgjedhja“-tha Kalaja.