Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla, i ekzekutuar mbrëmjen e së dielës në Elbasan, mendohet se është me origjinë nga Mali i Zi. Ky konkluzion paraprak ka dalë nga analiza e dhjetëra provave të mbledhura deri më tani nga grupi hetimor.
Për shkak të sekretit hetimor, identiteti i tij nuk bëhet publik, por burime nga hetimi bëjnë me dije se ai është regjistruar nga një kamerë sigurie teksa lëvizte në zonën e Rrajcës, në Prrenjas. Më pas, ai dyshohet se është larguar drejt Maqedonisë së Veriut, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Hetimet sugjerojnë se vrasësi dyshohet të jetë paguar për eliminimin e Mëhallës dhe se e ka kryer atentatin i vetëm, çka mbështetet edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë në vendngjarje.
Deri tani, policia ka identifikuar pesë të përfshirë në ngjarje: tre janë arrestuar, mes tyre edhe ish-ortaku i viktimës, Xhino Aga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të dyshuarit pritet të dalin të premten para Gjykatës së Elbasanit, ku prokuroria ka kërkuar mbajtjen e tyre në masën “arrest me burg”.
Pista kryesore e hetimit lidhet me një konflikt biznesi, por ende nuk është konfirmuar nëse provat e grumbulluara mjaftojnë për ta mbështetur plotësisht këtë version.
