Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një rasti të intimidimit ndaj një nënë me dy fëmijë, duke e quajtur situatën të papranueshme dhe duke theksuar se gruaja është kërcënuar të pranojë një akuzë që nuk ka kryer. Rama ka informuar Ministrinë e Drejtësisë për rastin dhe ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe transparencë në sistemin e drejtësisë.

Duke e theksuar rëndësinë e kontrollit të kostove financiare, Rama ka ngritur pyetjen se çfarë po paguajnë shqiptarët për përpjekjet e tilla dhe ka kritikuar disbalancin në pagat e zyrtarëve të lartë. “Kur paguan një prokuror më shumë se Presidentin e Republikës, do t’i kërkosh standarde,” tha ai, duke e lidhur këtë çështje me nevojën për reforma të thella në drejtësi dhe rritjen e standardeve për funksionarët e shtetit.

“Nuk dua të flas, kam informuar ministrinë e drejtësisë për një intimidim tjetër për një rast të rëndë të një nëne me dy fëmijë që i kërkohet të pranojë diçka që s’ka bërë. I thuhet ose prano këtë ose do e hash më keq se që duhet të fusësh brenda. Po kostot financiare të gjithë kësaj, a duhet t’i kemi parasysh apo jo? Carë po paguajnë shqiptarët për këtë përpjekje. Kur paguan një prokuror më shumë se Presidentin e Republikës, do t’i kërkosh standarde dreqi e mori”, tha Rama.