Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në SPAK, ku u njoftua me masën “Detyrim Paraqitje”. Pas daljes nga SPAK, Berisha ka folur për mediat, duke komentuar zhvillimet e fundit, përfshirë arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Berisha u ndal në arrestimin e Maduros dhe e lidh këtë ngjarje me pushtetin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ky i fundit ka një lidhje të ngushtë me regjimin e Maduro në Venezuelë. Lideri i PD-së shprehu shqetësimin për ndikimin që mund të ketë ky arrestim në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, duke nënvizuar se çdo veprim që lidhet me regjime të tilla është shqetësues për imazhin e vendit.
Ai e ka cilësuar arrestimin e Maduros si një ngjarje të rëndësishme, duke e shfrytëzuar këtë mundësi për të kritikuar qeverinë e Edi Ramës për afërsinë që, sipas tij, ka me liderë të tjerë të cilët kanë lidhje me aktivitete të paligjshme, siç janë trafiku i drogës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Nëse flet për votë, Edi Rama zhvillon farsë elektorale njësoj si Maduro. Një nga shkaqet që Maduro u arrestua ishte fakti që ai nuk zhvillon zgjedhje. Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje. Zhvillon farsë elektorale. Nëse KE-ja, institucioni i themeluar mbi parimin e zgjedhjeve të lira, thotë që Shqipëria zhvilloi farsë elektorale. Berisha ka deklaruar që me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. E kam përshëndetur arrestimin e Maduros si një fitore për njerëzit e lirë në Shqipëri dhe në Botë. Nuk kam deklaruar që forcat Delta do të arrestojnë Edi Ramën. Siç u përmbysën diktaturat në Bangladesh, në Nepal, në Sri Lanka, do përmbyset edhe këtu. Një diktator më pak është lehtësim për ne”, tha ndër të tjera Berisha.
