Policia përballet me aktivistët që kërkojnë ndëshkimin e ashpër të fajtorëve
Policia në kryeqytetin e Indisë bllokoi një përpjekje të madhe të aktivistëve për të protestuar ashpër kundër qeverisë, një protestë e shkaktuar nga përdhunimi dhe rrahja barbare e një vajze nga një bandë rrugësh. Viktima e përdhunimit është dërguar në Singapor ku mjekët po përpiqen t’i shpëtojnë jetën. Demonstratat shpërthyen në Nju Delhi pas sulmit më 16 dhjetor dhe shënuan kulmin fundjavën e kaluar kur u kthyen në përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Dje, aktivistët që u mblodhën për një protestë tjetër u ndaluan nga policia që kishte hedhur në veprim njësitë kundër protestave të dhunshme të armatosur me gaz lotsjellës dhe makinat e ujit me presion.
“Ne do të rifitojmë lirinë tonë”, kënduan protestuesit, më së shumti, studentë universitetesh. Ata shtynë policinë për të arritur te një monument i rëndësishëm i vendit, por nuk ia dolën dhe u shpërndanë pas rënies së natës. Nju Delhi ka numrin më të lartë të sulmeve seksuale mes qyteteve të mëdha të Indisë. Këtu ndodh zakonisht një përdhunim çdo 18 orë. Shumica e përdhunimeve dhe krimeve të tjera seksuale nuk denoncohen dhe kriminelët shumë rrallë ndëshkohen. Por brutaliteti i sulmit mbi një studente Mjekësie solli edhe reagimin e popullatës që kërkon njëkohësisht polici më funksionale dhe ndëshkime më të ashpra për përdhunuesit.
Vajza 23-vjeçare u hodh nga një autobus në lëvizje, pasi qe sulmuar nga gjashtë burra. Ajo u dërgua në Singapor për trajtim të specializuar mjekësor. Mjeku i spitalit në Singapor tha se vajza gjendet në “kushte jashtëzakonisht kritike”. Para se të mbërrinte në Singapor, ajo u qe nënshtruar tri ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kishte pësuar një pushim zemre në Indi. Një skuadër specialistësh nga disiplina të ndryshme po përpiqen të stabilizojnë kushtet e saj.
Reagimi i fuqishëm i popullatës dhe protestat e dhunshme kapi në befasi qeverinë e Kryeministrit Manmohan Singh dhe hapi një lojë për hedhjen e fajit mes politikanëve dhe policisë. Singh anuloi një fjalim mbi planifikimin ekonomik duke e konsideruar sigurinë e grave nëpër rrugët e vendit një prioritet të madh. Ai premtoi se do të rishikojë ligjet dhe shkallën e ndëshkimit për sulmet seksuale.
Por brenda një ore nga ky fjalim, partia e tij u zhyt në siklet si pasojë e komenteve të pakëndshme të bëra nga një prej deputetët e saj, Abhijit Mukherjee, i biri i Presidentit të vendit. Ky i fundit i përshkroi protestuesit kundër përdhunimit si një “revolucion rozë” nga gra të mbingarkuara me pudër që mendojnë se është në modë të protestohet. Ai u detyrua pak më vonë të kërkojë ndjesë për këto komente, por rrjetet sociale dolën në protesta të ashpra dhe vetë motra e deputetit deklaroi se ndihej “e turpëruar” nga i vëllai.