Ish-deputeti socialist Halit Valteri ka sqaruar postimin e tij për viktimën e atentatit të Rinasit, Gilmando Dani ku ai e cilëson si një person të njohur të tijin dhe shumë njeri paqësor.
Ish-deputeti ka cituar se postimi ishte për të ngushëlluar familjen e cila ishte zemërthyer dy herë për shkak të humbjes dhe komenteve dhe pamjeve të publikuara të pacensuruara. Ai theksoi se pamjet janë lehtësisht të aksesueshme dhe nga fëmijët dhe adoleshentët duke shtuar kështu frikë terrori.
“E pata të vështirë të shkruaj për këtë rast. Nuk kam njohur as kriminelë, as krahu i djathtë apo i majtë. Ishte një djalë lagjeje shumë i mirë, dhe në zemrën e nënës është një plagë e madhe. Mua më shqetëson fakti që portalet dhe mediat pa licencë shkruajnë çfarë të duan dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Kur ndodh një krim, si ai i terrorit dhe frikës, kushdo që e ka bërë, uroj që të zbardhet, sepse ka sfiduar autoritetet. Një bandë merr jetën e dikujt, kushdo qoftë dhe sfidon hapur shtetin. Të gjithë ngrisin pyetje: A është ndihmuar nga shteti?
Vrasjet ndodhin kudo, problemi është që rrjetet sociale janë aksesuar nga fëmijët. P.sh., vajza ime i sheh reels, dhe adoleshentët e marrin si terror. Pamjet filmike të pacensuruara, i vrari në makinë, të mbuluar në gjak. E njoh nga ish-parku, aty jetoj 30 vite, aty jetojmë të gjithë në harmoni. Gilmando ishte djali që fliste dhe buzëqeshte me të gjithë, ndihmonte të gjithë, nuk ka lidhje fare me si e paraqitën mediat. Kisha muhabet me të, jetonim në një rrugicë, nuk ishte Gilmando para 20 vitesh, ai që është sot.
Krah dhimbjes që u shkaktohet familjarëve, u bëhet një dhimbje edhe më e madhe duke e kryqëzuar atë, përpara se të vdiste, ai kishte larë hesapet në këtë botë dhe do t’i japë hesapet në botën tjetër. Nuk e kisha shok, por e njihja, dhe ky status është për të shprehur ngushëllimet për familjen dhe për pamjet që janë shpërndarë. Jepni lajmin, por p.sh. ajo video nuk është e bukur, sepse një i ri që e sheh atë, merr armët. Dhe sot, adoleshentët nuk e dinë se çfarë është e drejtë. Po meson idiotësira. Çfarë do të bëjë, të përqafojë armët apo librat? Të censurohen videot, sepse ato nuk shërbejnë.”, tha ai.
