Elbasan


Drejtësia shqiptare vijon të krijojë konflikte që sjellin viktima të njëpasnjëshme në të gjithë vendin. Pas dështimeve me rastin e ekzekutimit të Bledar Balliut dhe Arjan Selimit, në Elbasan regjistrohet një tjetër ngjarje që mund të parandalohej. Gentian Beqiraj ekzekutohet në gjumë nga dy persona, megjithëse ruhej nga dy punonjës policie, për shkak se ishte në masën e arrestit shtëpiak. Ai ishte dënuar nga Shkalla e Parë dhe e Apelit me 25 vite burg, ndërsa Gjykata e Lartë i prishi këto vendime, duke rikthyer çështjen për rigjykim, madje edhe “liroi” të akuzuarin, që vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit.


Shteti preferoi që të paguante tri patrulla policie që ruanin apartamentin e tij 24 orë, në vend që ta linin në Spitalin e Burgut, pasi akuzohej për një ngjarje të rëndë dhe mund të ishte objekt i hakmarrjeve të mundshme. Përfundimi është tragjik, pasi i akuzuari është vrarë, ndërsa dy punonjësit e policisë janë tashmë të arrestuar.


Megjithatë historia e vrasjeve dhe e hakmarrjeve në Elbasan daton në fund të vitit 2005. Në muajin dhjetor të këtij viti, biznesmeni Sokol Çapja ekzekutohet në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit. Policia nisi hetimet dhe arrestoi shumë shtetas, të cilët akuzoheshin për vdekjen e biznesmenit, ku në dosjet e policisë ndaj tij nuk kishte asnjë procedim penal dhe se biznesmeni Sokol Çapja bënte një jetë të qetë. Mes të akuzuarve ishte edhe viktima e djeshme, Gentian Beqiri, apo njohur ndryshe si Ardian Meta.


Sipas të dhënave, autorë të vrasjes së Çepjas ishin tre persona të armatosur dhe me maska që qëlluan me pistoletë dhe me automatik “Skorpion” në drejtim të biznesmenit. Më parë ata u kishin kërkuar klientëve dhe kamerierëve që të shtrihen për tokë dhe më pas kanë nisur të qëllojnë në drejtim të biznesmenit. Sokol Çapja u dërgua në spital dhe vdiq gjatë operacionit. Pas atentatit, vrasësit janë larguar me një automjet me targa të huaja. Sipas policisë, autorë të atentatit ishin shtetasit Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta.


Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme, ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë nga një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Familja Çapja kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapës dhe një person tjetër. Por prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Policia nuk mundi të identifikojë dhe të kapë autorët.


Një nga të akuzuarit, viktima e djeshme Ardian Meta (Gentian Beqiraj), u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi.


Pas kapjes së Ardian Metës, u vra në rrethana misterioze në Tiranë, Dritan Sheme. Autorët arritën të gjejnë vendndodhjen e tij nëpërmjet së dashurës. Policia shpalli në kërkim Armando Hasanin, autorin e tretë të vrasjes së Sokol Çapjes. Sipas të dhënave të policisë, Armando Hasani ka qëndruar i fshehur me identitet të rremë në Tiranë.


Megjithëse kaq shumë ngjarje, drejtësia (policia, prokuroria e gjykata) është e pafuqishme për të parandaluar këtë seri vrasjesh, të cilat kanë ndodhur në “dijeninë” e tyre. Asnjë prej atentatorëve nuk është dënuar me burg me vendim të formës së prerë, por ata janë “dënuar me vdekje”. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, policët, prokurorët e gjykatësit kanë lejuar që seria e vrasjeve të terrorizojë jo vetëm Rajonin e Elbasanit. s.çobo