Një përleshje e dhunshme ku u përfshinë rreth 15 persona është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në lagjen Kypseli të Athinës, duke lënë të plagosur një person dhe duke çuar në pranga tre të tjerë, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Greke, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 në kryqëzimin e rrugëve “Lefkados” dhe “Evelpidon”. Grupi i personave u përlesh me njëri-tjetrin për motive që ende mbeten të paqarta për hetuesit.

Gjatë konfliktit fizike dhe sulmit me mjete të mprehta, një 40-vjeçar me origjinë nga India mbeti i plagosur pasi u godit me thikë në stomak dhe në kofshë. Ai u transportua me urgjencë me ambulancën e shërbimit EKAB drejt spitalit “Kryqi i Kuq” për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në vijim të ndërhyrjes në vendngjarje, autoritetet policore arrestuan tre persona të përfshirë në konflikt: dy shtetas grekë të moshës 26 dhe 30 vjeç, si dhe një 36-vjeçar shqiptar. Ndaj të arrestuarve është ngritur zyrtarisht akuza për veprën penale “Lëndim i rrezikshëm trupor i kryer në bashkëpunim”, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.