Pas përfundimit të seancës gjyqësore në GJKKO ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, deputetja e PL-së foli për vendimin që mori Gjykata.
Monika Kryemadhi tha se metodologjia që është përdorur kundër saj dhe familjes saj është shumë e shëmtuar. E pyeture nëse po i mbaron karriera politike, Kryemadhi tha se mund të mbyllet karriera politike dhe se mund t’i hapet një karrierë tjetër.
“Karriera politike nuk është e domosdoshme, e kam parë si instrument për të ndihmuar njerëzit, është mjet i rëndë për t’u mbajtur. Metodologjia që është përdorur kundër familjes sime është e shëmtuar. Uroj që kjo gjë të mos jetë për të tjerët, sot në politikë ke kushërinj të bandave kriminale. Është shumë e thjeshtë, mund të mbyllësh karrierën politikë, por mund të hapësh një tjetër që është shumë e mirë dhe që e transformon politikën. Nuk mund të lejoj një sistem drejtësie të më bëjë pis mua. Do shkoj edhe në Strasburg, kur t’i vijë koha, jo kur të vdes unë. I kam edhe tre trashëgimtarë që do e ndjekin këtë gjë.”– tha ajo.
Seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi ka përfunduar pas disa orësh përplasje mes Metës dhe gjyqtarëve. GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.
Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte.






