Shqipëria u kthye në “trendin” e vërës gjatë këtij sezoni, duke tërhequr vëmendjen e shumë mediave të huaja që i kushtuan artikuj bukurive natyrore të vendit tonë.
Së fundmi edhe revista “The Travel” i ka kthyer sytë nga vendi ynë, teksa e rendit Shqipërinë mes 10 destinacioneve mesdhetare me plazhet më piktoreske dhe më pak të mbipopulluara me turistë.
Artikulli flet për plazhet e Ksamilit, ku thuhet se ndryshe nga fqinjët më të frekuentuar mesdhetar, Riviera Shqiptare mbetet një thesar i fshehur.
“Mes këtyre mrekullive natyrore ndodhet fshati i bukur, Ksamili, i zbukuruar me disa nga plazhet më piktoreske që mund të gjenden kudo përgjatë Mesdheut. Ujërat e kaltra puthin butësisht vijën bregdetare, duke krijuar një parajsë për adhuruesit e plazhit dhe diellit.”- thuhet në artikull.
Më këtë përshkrim revista amerikane u bënë thirrje turistëve të vizitojnë perlën e fshehur në rivierën shqiptare.
“Keni ëndërruar ndonjëherë për një arratisje mesdhetare që është e përballueshme për xhepat tuaj dhe mbush shpirtin me bukurinë e peizazheve të pacenuara? Vendet e Mesdheut janë të njohura për bukurinë e tyre dhe zakonisht kryesojnë listat e udhëtarëve. Askund tjetër adhuruesit e plazheve nuk mund të zbulojnë brigje të tilla të paeksploruara, të përqafuara nga ujërat më të kthjellëta dhe të përshtatura nga pamjet mahnitëse.” thuhet ndër të tjera në artikull.